Triumfon Tirana, bardheblutë fitojnë Superkupën, dorëzohet Kukësi

Updated: 21:05 - Shtator 6, 2017

Tirana e ka nisur mirë me ngushëllimet pas rënies në Kategorinë e parë. Suksesi në Kupën e Shqipërisë u pasua me një triumf në Superkupë përballë kampionëve të Kukësit. Një dominim absolut i bardhebluve, për meritë edhe të trajnerit Ze Maria që e kishte veshur skuadrën e tij me ingredientët e lojës braziiliane. Goli që i dhuroi trofeun kryeqytetasve vërtet erdhi në minutën e fundit falë një super Hoxhallari, por për mënyrën se si u luajt takimi do ishte mëkat nëse kjo superkupë nuk do të shkonte në duart e Tiranës.

Tirana u shfaq agresive që në embrion të sfidës dhe Çelhaka pati mundësinë e artë për të kaluar bardheblutë në epërsi, por gaboi në mënyrë të pabesueshme nga fare pranë portës.

Përgjigjia e Kukësit erdhi me Elis Bakajn, sulmuesi preku rrjetën, por vetëm pjesën e jashtme të saj. Kryeqytetasit me një version brazilian të indoktrinuar nga trajneri Ze Maria ishin shumë më ofensiv.

Kërciku shërbeu për Dajën, mesfushori gaboi në preçizion. Sfida u ndez në minutën e 28-të kur Ylli Shameti i ndëshkuar më parë pengoi Grecën, karton i dytë i verdhë për gjirokastritin.

Nga ky çast bardheblutë ishin padron të çdo segmenti. Sentamu provoi pa gjetur kuadratin. Më pas një gjuajtje-kros sërish me protagonist Sentamun u prek nga Koliçi dhe përfundoi në shtyllë. Disa fragmente më vonë Bedri Greca i vodhi kohën Koliçit, por nuk devijoi dot në kuadrat.

Në mbyllje ishte edhe një herë lojtari i përfaqësueses së Ugandës , Yunus Sentamu  ai i cili rrezikoi, gardiani  i bluve  i bllokoi rrezen.

Me dominimin e Tiranës u mbyllën 45 minutat e para. Muzika nuk ndryshoi as në fillimin e fraksionit të dytë, të besuarit e Ze Marias në superioritet numerik, provuan të merrnin epërsinë me gjuajtjen e  Hoxhallarit që u devijua nga Enea Koliçi.

Portieri më i mirë i sezonit të shkuar u tregua edhe një herë i saktë duke grushtuar një goditje standarte të Erjon Hoxhallarit. 1 minutë më vonë fati i shpëtoi kuksianët, kur gjuajtja e devijuar e përfundoi për shumë pak jashtë kuadratit.

Kampionët e Shqipërisë u shfaqën pas shumë minutash nga anët e Likës, Guri i pati mundësitë të realizonte, por nuk konkretizoi si duhet nga një pozicion diagonal. Ky çast ishte vetëm një shkëndije pasi ishte Tirana që iu afrua ndjeshëm avantazhit.

Ngoo nga brënda zonës gjeti një super Koliçi,  Sentamu nuk realizoi dot kur dërgoi jashtë topin e kthyer nga portieri. Gardiani pogradecar i Kukësit tërhoqi pas vetes edhe një herë dritat e skenës kur u zgjat për të evituar që tentativa e Karabecit të përfundonte në rrjetë.

Megjithatë përpjekjet e bardhebluve morrën shpërblimin e merituar kur Erjon Hoxhallari në minutën e 90-të mposhti më në fund Koliçin. Një gjujatje e fortë dhe më saktësinë e një “bomberi” ajo e mbrojtësit të majtë që përfundoi drejt e në rrjetë.

21 vjeçari për fatin e  tij të mirë di të shënojë vetëm gola me koefiçent të lartë vështirësie. Pati kohë edhe për ekulibrimin e forcave në fushë kur gjyqtari Xhaja ndëshkoi me kartonine  dytë të verdhë Turtullin.

Gjithçka u mbyll me këtë trofe që i ndryshon disi fytyrën bardhebluve, jo vetëm se mposhti ekipin kampion në fuqi, por e bëri duke kujtuar Tiranën dominuese të rreth një dekade më parë. Nëse ky ekip vijon në këto ritme, kategoria e parë do të jetë thjesht një flash i shpejtë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *