Real Madrid zyrtarizon Dani Cabellos

Updated: 13:41 - Korrik 14, 2017

Real Madrid zyrtarisht ka transferuar talentin Dani Ceballos nga Real Betis për 18 milionë euro. Kampionët e Evropës kanë mposhtur Barcelonën në duelin për të bindur mesfushorin më të komentuar të javëve të fundit, i cili u përzgjodh si “Lojtari më i mirë i turneut” në Kampionatin Evropian U-21 me Spanjën, këtë verë në Poloni.

20-vjeçari vjet kaloi një sezon mbresëlënës me Betisin, duke shënuar dy gola në 30 ndeshje të La Ligës. Performancat e tij bënë dy klubet më të mëdha në Spanjë të viheshin pas tij, derisa në fund ai e tha me plot gojën “dua madrilenët!”.

Ceballos ka firmosur për gjashtë vite në “Santiago Bernabeu” dhe do të prezantohet më 20 korrik (të enjten, ora 13:00). Një ditë më pas, ai do t’i bashkohet skuadrës për turneun parasezonal në SHBA. Spanjolli është blerja e dytë e kësaj vere për Real Madridin. Para tij, “Los Blancos” siguruan një tjetër spanjoll premtues, Theo Hernandez, nga Atletico Madrid (për 24 milionë euro).

Zinedine Zidane ka kaq shumë vendës në skuadrën e tij! Real Madrid tashmë ka marrë pamjen e Barcelonës dhe kjo e fundit është kthyer në një klub normal, i paaftë për t’u rikthyer në vitet e lavdishme, kur thuajse i gjithë 11-shi i titullarëve plotësohej me katalanas.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *