Optimizmi i Iulianos, trajneri i Partizanit: Ekipi ka shënuar rritje javë pas jave

Updated: 16:51 - Nëntor 3, 2017

Trajneri i Partizanit Marc Iuliano vijon të jetë optimist pavarësisht humbjes ndaj Flamurtarit në javën e shkuar. Tekniku italian shprehet përpara ndeshjes me Kamzën se skuadra ka shënuar rritje dhe se diferenca më e madhe mes “të kuqve”  dhe Skënderbeut janë pikët dhe jo mënyra e lojës.

Partizani ka pësuar 3 disfata në këtë kampionat dhe është larg objektivit titull, megjithatë trajneri i demave Mark Iuliano vijon të jetë optimist. Në konferencën për shtyp që i paraprin duelit ndaj Kamzës tekniku Italian shprehet se skuadra ka shënuar rritje, pavarësisht situatës negative që ka krijuar humbja e fundit përballë Flamurtarit.

“Partizani po tregon rritje graduale nga java në javë. Në takimin ndaj Flamurtarit vinim pas 3 fitoresh rradhazi dhe objektivi ishte të vijonim në këtë rrugë. Pësuam një humbje që na ka zhgënjyer  . Të gjithë duhet të mbajmë përgjegjësitë tona dhe të kthehemi tek rezultatet pozitive. Më vjen keq për lojtarët e mi pasi po e vuajmë këtë situatë, po ashtu edhe për tifozët pasi e dimë që i kemi mërzitur. Personalisht po kërkoj të bëj më të mirën.”

Trajneri i të kuqve nuk shfaqet i impresionuar nga loja e Skënderbeut, madje thekson se diferenca më e madhe mes Partizanit dhe kryesuesve të kampionatit janë pikët dhe jo mënyra se si dy ekipet paraqiten në fushë.

“Mendoj se diferencat e mëdha që kemi me Skënderbeun janë vetëm në aspektin e pikëve. Kemi nisur një projekt të ri, ndërsa ata janë të stabilizuar prej vitesh. Po e përsëris diferenca mes mesh është vetëm tek pikët , përsa i përket lojës, ne nga java në jave po tregojmë përmirësim.”

Partizani sipas Mark Iulianos ka nisur një projekt të ri i cili ka gjasa të jetë afatgjatë, megjithatë kryeqytetasit nuk e provojnë shijen e titullit që nga viti 1993.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *