Milani pranë Bonuccit, nisin bisedimet me Juven, mbrojtësi ka pranuar ofertën

Updated: 16:07 - Korrik 12, 2017

Milani ka pushtuar deri më tani këtë sesion të merkatos në Itali. Pasi kanë siguruar 7 afrime të reja, rinovuar kontratën e Donnarumës dhe janë shumë pranë akordit për Lucas Biglian, kuqezinjtë kanë nisur të lëvizin konkretisht në frontin “Leonardo Bonucci”.

Në fakt një objektiv i tillë nuk parashikohej nga askush dhe duke iu referuar portalit të korporatës televizive “sportmediaset” gjithçka ka lëvizur në fshehtësi të plotë. Milani tashmë ka nisur bisedimet me Juventusin dhe ka parashtruar një ofertë të rëndësishme e cila për momentin nuk bëhet e ditur, megjithatë spekulohet se përveç të ardhurave pjesë e ofertës janë edhe kartoni i Alessio Romangolit dhe ai i Mattia De Sciglios.

Ndërkaq gjithnjë duke u mbështetur tek ‘sportmediaset” oferta i është dorëzuar edhe Bonuccit ku bëhet fjalë për një pagë prej 7 milion eurosh në sezon, madje 30 vjeçari e ka pranuar dhe pret që dy klubet të dakordësohen.

Juventusi ka kërkuar 72 orë kohë për të vendosur nëse do ta pranojë ofertën e  Milanit apo do ta refuzoj për ta mbajtur Bonuccin në skuadër ose për të pritur një përmirësim të shifrave nga ana e klubit kuqezi.

Bie në sy përfshirja e Romagnolit , një mbrojtës 22 vjeçar i cili konsiderohet si e ardhmja e kombëtares italiane, ndërsa De Scgilio prej kohësh është kërkuar nga trajneri i bardhezinjve Allegri.

Kampionët e Italisë duhet të vendosin nëse do të riformulojnë repartin difensiv i cili në vitin 2018 mund të përbëhet nga 3 futbollist të rinj në moshë si Caldara, Rugani e pikërisht Romagnoli, ndërkohë që Milani me sa duket ka zgjedhur të mbështet tek përvoja e një prej lojtarëve që për momentin e intepreton më mirë rolin e mbrojtësit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *