Mark Iuliano: Do t’i imponojmë lojën tonë Skënderbeut

Updated: 17:34 - Shtator 22, 2017

Trajneri i Partizanit, Mark Iuliano, mendon se pavarësisht rivalitetit, tifozët e Partizanit duhet të jenë krenarë për përfaqësimin që po u bën Skënderbeu në arenën ndërkombëtare. Duke folur në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes ndaj korçarëve, Iuliano ka deklaruar se nuk e sheh ekipin e tij në vështirësi para portës si dhe është i lumtur me atë që të tijtë kanë prodhuar deri tani.

Për mungesën e golit pas dy ndeshjeve të para

“Problemi i golit nuk ekziston, pasi do të ishte i tillë vetëm nëse nuk do të krijoheshin raste. Natyrisht, po punojmë shumë edhe nga pikëpamja e gjuajtjeve në portë. Mendoj se herët apo vonë goli do të vijë, shpresoj të arrijnë sa më shumë. Nuk jam aspak i shqetësuar”.

Sa vlen ndeshja kundër Skënderbeut për vijueshmërinë e ekipit

“Vlen shumë, nga pikëpamja e tre pikëve, nga morali, i jep rëndësi punës që po bëjnë lojtarët. Shoh një skuadër në rritje të vazhdueshme, premisat për të bërë mirë janë të shumta. Jam shumë i lumtur nga puna që po bëjnë djemtë”.

Për ndryshimet në formacionin e skuadrës në këtë ndeshje

“Nga pikëpamja taktike nuk do të ketë ndryshime, por te zgjedhjet e lojtarëve. Unë vlerësoj vazhdimisht punën e djemve, kush është në formë, kush më jep më shumë garanci për ndeshjen e nesërme dhe i kam idetë shumë të qarta”.

Për paraqitjen e Bardhit

“Bardhi po bën mirë, pasi po punon shumë mirë. E ka kuptuar mbi çfarë duhet të punojë, të përmirësohet dhe më ka dhënë përgjigje mjaft të mira. Është një e mirë për klubin, është një e mirë e madhe dhe duhet të ketë maturimin e tij, pa u ngutur. Ai i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë një lojtar shumë i mirë, jo vetëm për Partizanin, por nëse vazhdon kështu mendoj se ka të ardhme edhe në Europë. Por ta ngutim, apo të insistojmë mbi disa gjëra, apo t’i japim shumë përgjegjësi, nuk di të them nëse është ky momenti i duhur”.

Për njohurinë që ka rreth Skënderbeut dhe nëse i frikësohet formës së tij

“Nuk e kuptoj fjalën frikë, përse të kem frikë. Skënderbeun e kemi studiuar shumë mirë dhe është skuadra që po përfaqëson Shqipërinë në Europë, po e bën mjaft mirë. Duhet të jemi krenarë që kemi një skuadër shqiptare në grupet e Ligës së Europës. Por përtej kësaj, duhej të mendojmë për veten, të përballojmë këtë ndeshje me armët tona që janë të shumta dhe të mundohemi të bëjmë rezultat ndaj një kundërshtari direkt për titullin.

Ajo është një skuadër shumë e mirë, ka individualitete të mira, do të mundohemi ta përballojmë me përulësinë që duhet të na karakterizojë, por me dëshirën për të imponuar lojën tonë sepse edhe Partizani është skuadër e madhe dhe duhet ta tregojë në çdo ndeshje”.

Nëse do të aktivizohet Çani pas ndeshjes jo aq të mirë që dhuroi ndaj Kukësit

“Kur analizohet ndeshja e një lojtari, si Çani apo të tjerë, duhet parë edhe niveli taktik. Çani, duke mos qenë në maksimum, ka bërë shumë punë, sidomos në fazën e lojës pa top dhe duke punuar për lojtarët e tjerë. Nëse e shohim ndeshjen me Kukësin, ai ishte gjithmonë i mbuluar nga 2-3 kundërshtarë dhe krijonte hapësira për shokët e skuadrës. Kur e sheh një ndeshje duhet edhe ta lexosh se si luhet”.

Nëse është gati të firmosë për një barazim

“Unë nuk firmos për asnjë rezultat sepse e bukura e ndeshjeve është t’i shijosh dhe të mos dish se si është rezultati më përpara. Natyrisht, Partizani duhet të mendojë të fitojë të gjitha ndeshjet. Ndaj nuk firmos për asnjë rezultat sepse dua t’i kënaqem një ndeshje të madhe dhe të shoh djemtë e mi në çfarë niveli janë ndaj një skuadre të madhe dhe të mundohem gjithsesi të bëj një ndeshje t rëndësishme dhe nëse rezultati do të jetë pozitiv do të jem i lumtur për djemtë dhe për tifozët”.

Soue ka deklaruar se është më i fortë se Ekuban…

“Ali Soue e njoh mirë, ka qenë futbollisti im në Itali, po paraqitet mjaft mirë, edhe me mua punoi mirë, por kishte disa probleme fizike. Jam i lumtur që e gjej në formë se është një lojtar i rëndësishëm për Skënderbeun, shumë i rëndësishëm dhe do të bëjë që të flitet për të. Nuk mendoj se mund të krahasohet me mënyrën e lojës së Ekuban, sipas meje janë dy lojtarë të ndryshëm.

Ekuban ishte i rëndësishëm për Partizani, Soue do të jetë për Skënderbeun, por mendoj se janë dy lojtarë të ndryshëm. Nuk mund të hyj në kokën e Soue, e di që është lojtari mirë, që impenjohet dhe jep gjithçka në çdo ndeshje dhe duhet ta përballojmë sa më mirë që të mundohemi të ndalim atë dhe shokët e tij të skuadrës”.

Për rëndësinë që ka ndeshja ndaj Skënderbeut

“E përsëris që është një ndeshje aq e bukur mes dy skuadrave të rëndësishme dhe do të mundohemi ta përballojmë me armët tona. Normalisht që një rezultat pozitiv mund të përmirësojë moralin dhe dëshirën e djemve për të vazhduar këtë rrugëtim të ri. Të shohim se çfarë do të ndodhë, por jam i bindur te skuadra, besojnë në atë që bëjnë se ma tregojnë çdo ditë. Do të bëjnë gjithçka për t’u munduar të arrijmë një rezultat të rëndësishëm”.

Nëse e sheh pozitivisht historikun e bilancit të viteve të fundit të Partizanit ndaj Skënderbeut

“Çdo ndeshje ka një histori më vete. Natyrisht, fakti që Partizani është paraqitur shumë mirë ndaj Skënderbeut, i shtyn lojtarët për të vazhduar kështu, janë të ndërgjegjshëm. Por e përsëris që çdo ndeshje është e ndryshme. Me shumë mundësi do të gjejmë Skënderbeun shumë më të rëndësishëm se herët e tjera, një ekip ndryshe se ka ndërgjegjësimin që luan në Ligën e Europës, që ka përmirësuar formacionin, që përpara ka një lojtar si Soue. Ata mendojnë se janë superiorë për atë që po bëjnë, sidomos do të dëshirojnë të ndalin këtë seri negative ndaj Partizanit. Por ne do të bëjmë gjithçka për të vazhduar këtë seri”.

Nëse e ndjen veten nën presion apo është nervoz

“Nuk jam kurrë nervoz, nuk kam qenë kurrë për karakterin tim”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *