Kosova përballë Turqisë, Bernard Berisha shqetësimi i vetëm i trajnerit Bunjaki

Updated: 11:24 - Nëntor 12, 2016
124124124124

Kosova do të zbresë në fushë në orën 18 për të sfiduar Turqinë në “Antalta Stadium”. Një takim që në letër duket mjaft i ndërlikuar për përfaqësuesen më të re në Ballkan. Trajneri Albert Bunjaki ka një shqetësim të vetëm, që është gjendja e Bernard Berishës. Lojtari i Anzhit po kalon një gjendje gripale dhe rrezikon të mos jetë i gatshëm.

Nëse ndodh atëherë mund të konsiderohet një mungesë shumë e rëndësishme duke llogaritur gjendjen e mrekullueshme që 25 vjeçari po kalonte në kampionatin rus. Përsa i përket formacionit tekniku i Kosovës pritet të aplikojë modulin taktik 4-1-4-1. Në kuadrat do të jetë kapiteni Ujkani. Mbrojtja do të plotësohet nga Përdedaj në të djathtë, Pnishi e Rrahmani në qëndër dhe Paqarada nga e majta. Pak më përpara repartiti difensiv do të rreshtohet Alushi, ndërsa mesfushë do të përbëhet nga Rashica, Shala, Valon Berisha dhe Zeneli, nëse Bernard Berisha nuk ja del. I vetëm në repartin sulmues do të jetë Vedat Muriqi.

Pritet që në stadiumin e qyteit të Antalyas të jenë të pranishëm rreth 2 mijë tifozë nga Kosova , teksa përfaqësuesja blu deri më tani ka regjistruar 1 barazim dhe 2 disfata, ndërkaq trajneri Bunjaki thekson se skuadra e tij ka zhvilluar tre ndeshje në transfertë, duke mos e konsideruar si një takim në shtëpi sfidën e luajtur në “Loro Boriçi” ndaj Kroacisë. Kujtojmë që tekniku 45 vjeçar është në një situatë delikate dhe një tjetër humbje e thellë ndaj Turqisë mund të sjellë shkarkimin e tij nga stoli i kombëtares. Ky takim do të gjykohet nga hungarezi Tamas Bognar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *