Hoxha: Jam gati për Italinë, Partizanin e lë vetëm për ofertat jashtë

Updated: 15:52 - Mars 8, 2017

Portieri i kombëtares shqiptare dhe kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, është shprehur se ndjehet gati për sfidën ndaj Italisë në eliminatoret e botërorit Rusi 2018.

Në një intervistë të dhënë për “Supersport”, portieri i demave të kuq thotë se shpreson shumë që të luaj këtë ndeshje dhe se është përgatitur për këto kohë ndërkohë që nuk lë pa përmendur dhe klubin ku aktualisht luan teksa thekson se Partizanin e lë vetëm për ofertat jashtë Shqipërisë.

A.Hoxha: “Çdo lojtar ka probleme të vogla në stërvitje. Askush nuk është gjithmonë mirë. Si kanë pohuar edhe anglezët: po nuk pate pak dhimbje në trup, nuk je futbollist. Ndeshja me Italinë? Shpresoj shumë të luaj. Unë jam përgatitur shumë këto kohë si psikologjikisht, ashtu edhe fizikisht. Megjithatë mbetet për tu parë.

Nga dueli me Italinë, te mundësia për të luajtur në Serinë A. Chievo interesohet për portierin e të kuqve, me transferimin që nuk është utopi. Alban Hoxha nuk e fsheh që për të luajtur në një ligë më të fort është gati të largohet nga Partizani dhe shpreson që kalimi të realizohet.

A.Hoxha: “Oferta nga Chievo? Është e vërtetë, edhe unë e kam dëgjuiar. Për mua ka pasur oferta edhe më përpara, por asnjëherë nuk kam dalë të jap deklarata publike. Dëshira ime është të flas në momentin kur transfertat mbyllen. Partizanin e lë për një skuadër jashtë dhe këtë e kam thënë gjithmonë. Besoj që tani ka ardhur koha, që edhe unë të transferohem. Kam dhënë shumë në Shqipëri dhe shpresoj që edhe me pak fat ky transferim të realizohet.”

Kombëtarja dhe merkato nuk e shpërqendrojnë kapitenin e Partizanit, përpara sfidës së të shtunës ndaj Flamurtarit. Një duel edhe përballë ish-trajnerit Shpëtim Duro, ku Alban Hoxha ka besim se të kuqtë nuk do të gabojnë.

A.Hoxha: “Jemi afruar shumë me kryesuesit, por besoj se kështu do të jetë: diku do të gabojë njëri dhe diku tjetri. Megjithatë është e rëndësishme që ne të gabojmë sa më pak. Nuk besoj se do të gabojmë këtë ndeshje. Për ne çdo pikë është e rëndësishme tani dhe të gjithë e dinë që një hap fals të çon shumë mbrapa. Kështu që do të jemi të kujdesshëm mbrapa të mos pësojmë gol dhe shpresojmë të shënojmë sa më shpejt. Trajneri Duro ka bërë shumë mirë në Vlorë. Kjo është një thikë me dy presa, sepse ai na njeh mirë neve, por edhe ne ia dimë idetë. Megjithatë, si çdo ekip edhe Flamurtari është i favorizuar. Kemi objektiva të kundërt dhe nuk duhet të gabojmë në asnjë moment.”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *