Ferit Keta në ring,  më 1 korrik do tentojë titullin europian në Kickbox

Updated: 10:28 - Qershor 17, 2017

Ferit Keta do të tentojë titullin e kampionit të Europës në sfidën e cila do të zhvillohet më datë 1 Korrik në Mynih të Gjermanisë. 28 vjeçari shqiptar do të përballet në disiplinën e kik-boksit me holandezin Roshel Gumuljo, ky i fundit ka rregjistruar deri më tani 4 fitore në 5 ndeshje në artet marciale të përziera.

Ferit Keta është më i fundit i dinastisë Keta që po tenton të ngjisë shkallët e suksesit në sportet e luftimit, jo vetëm në boks , por edhe në Kickbox. Në këtë mënyrë pasi ka rregjistruar disa suksese të njëpasnjëshme në boksin profesionist ku së fundmi mposhti me “Knock-out’ polakun Lukash Zygmunt, ndërsa më parë triumfoi edhe ndaj boshnjakut Drazan Janjanin,  28 vjeçari shqiptar do të tentojë titullin e kampionit të Europës në Kickbox.

Më datë 1 korrik në Mynih të Gjermanisë luftëtari kuqezi do të sfidojë në këtë duel mjaft të rëndësishëm holandezin Rochel Gumuljo. Ky i fundit numëron një rekord pozitiv në artet marciale të përziera, ku ka shënuar 4 fitore dhe vetëm një disfatë. Keta ka nisur prej disa muajsh përgatitjet për këtë sfidë nën kujdesin e vazhdueshëm të trajnerit të tij Ismail Ketës, edhe për shkak se do të duhet të ndryshojë disiplinë nga boksi në kickbox. Kujtojmë se në boksin profesionist 28 vjeçari nga Bulqiza ka rregjistruar 8 fitore në 8 duele të zhvilluara deri më tani, megjithatë nëse shpallet kampion i Europës në kickbox, kjo natyrisht do të shënonte kulmin e karrierës  për Ferit Ketën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *