Europa League – Man Utd kërkon gjysmëfinalen, Ajax kundër Schalkes Besiktas pret Lyonin, Genk përballë Celta Vigos

Updated: 20:16 - Prill 19, 2017

 

Liga e Europës do të përcaktojë sfidat gjysmë-finale të këtij edicioni. Skuadra që konsiderohet favorite për ta fituar këtë trofe Manchester United do të presë në “Old Trafford” Anderlechtin. Takimi i parë në Belgjikë ka përfunduar në barazim 1-1, rezultat që i jep një avantazh të lehtë ekipit anglez. Trajneri Jose Mourinho nuk do të ketë në dispozicion për shkak dëmtimi Juan Matën, Smalling dhe Jones. Nën skemën 4-2-3-1 pritet që tekniku portugez ti besojë fazën ofensive treshes Rashford, Pogba dhe Mkhytarianit, të cilët do të vendosen pas krahëve të Zlatan Ibrahimovic. Me të njëjtën formulë do ti përgjigjet Mourinhos trajneri i Anderlechtit Rene Weiller, i cili do të vendosë në mbështetje të sulmuesit Teodorczyk, treshen Bruno, Stanciu dhe Achempong.

Ajaksi vjen në duelin përballë Schalkes me avantazhin e fitores 2-0 në “Amsterdam Arena”. Holandezët janë të plotë në këtë takim dhe nën skemën 4-3-3 në mesfushën e skuadrës kryeqytetase do të jenë Klassen, Schone dhe Ziyech, ndërsa sulmi do të formohet nga Traore, Doulberg dhe Younes. Ndërkaq tek skuadra gjermane do të mungojnë i pezulluari Kehrer, ndërsa të dëmtuar janë Embolo, Naldo e Aogo. Në këtë mënyrë tekniku Weinzierl do të tentojnë përmbysjen duke i besuar sulmin Caligurit, Goretzkës dhe Schopfit në mbështejte të Burgstaller.

Një përballje mjaft e fortë pritet të jetë ajo e “Vodafone Arenës” mes Beskitasit dhe Lyonit. Ekipi turk do të kërkojë të rekuperojë humbjen 2-1 në takimin e parë dhe për ta bërë këtë faza ofensive do të formohet nga Babel, Talisca dhe Quaresma pas krahëve të Tosun, ndërkohë në anën tjetër në sulm do të rreshtohet dyshja Lacazzette-Fakir. Në sfidën tjetër Celta Vigo do të përballet në transfertë me Genkun. Spanjollët janë një hap përpara pas suksesit 3-2 në Galici. Trajneri i skuadrës iberike Eduardo Berrrizo do të vendosë në repartin sulmues Aspas, Wass dhe Siston në ndihmë të John Guidettit, ndërkohë që ekipi belg do të përgjigjet me të njëjtën formulë taktike 4-2-3-1, ku Trossard, Pozuelo dhe Schrijvers do të rreshtohen pas krahëve të sulmuesit nga Tanzania Ally Samatta. Të gjitha takimet e këtij raundi çerek-final të Ligës së Europës do të nisin në orën 21 : 05.

/oranews.tv/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *