Berisha ndal Napolin

Updated: 10:36 - Tetor 3, 2016

Etrit Berisha ishte protagonist kryesor në përballjen mes Atalantës dhe Napolit duke qënë vendimtar për skuadrën bergamaske e cila triumfoi me rezultatin 1-0 duke i shkaktuar humbjen e parë sezonale “të kaltërve”. Vlerësimet e mediave italiane ishin maksimale, teksa portieri kuqezi fitoi derbin shqiptar me Elseid Hysajn

Etrit berisha në versionin “Superman”. Portieri i skuadrës tonë përfaqësuese ishte hero i skuadrës së Atalantës në sfidën përballë Napolit të Elseid Hysajt. 27 vjeçari në të paktën 3 raste tregoi se është vërtetë një ndër portierët më të aftë në kampionatin Italian, duke e mbajtur të paprekur portën e tij dhe avantazhin e bergamaskëve që erdhi pas golit të realizuar në batutat e para nga Petagna.

Berisha devijoi fillimisht tentativën nga brënda zonës të Callejon. Reagimi i mëvonshëm pas goditjes standarte të Ghoulam ishte një kryevepër e vërtetë. Një pritje për t’ia pasqyruar brezave të rinj. Por gardiani kuqezi nuk u ndal me kaq dhe veshi pelerinën e heroit duke devijuar edhe gjuajtjen e Arkadiusz Milik. Një tjetër ndërhyrje unikale.

Në fund gjithçka përfundoi me suksesin e Atalantës 1-0, teksa në krahun tjetër Hysaj vuajti shumë shpejtësinë e Papu Gomez. Vlerësimet nga mediat e gadishullit apenin ishin maksimale për Berishën. Teksa e përditshmja corrieredellsport në versionin online i cilësonte mrekulli të një superportieri pritjejt e numrit 1. Ndëkrohë që “Sportmediaset” e kish vlerësuar me notën 7.5 që e rendiste portierin si një ndër lojtarët më të mirë në fushë.

Një periudhë pozitive kjo për Etrit Berishën dhe në përgjithësi për ruajtësit e katërkëndorëve kuqezi, pasi të shtunën një paraqitje optimal ofroi edhe Thomas Strakosha në takimin Udinese – Lazio.

/Oranews.tv/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *