Analiza/ A është Pep Guardiola një dështak?

Updated: 16:34 - Mars 16, 2017

U mor në punë për ta kthyer Manchester City në një skuadër “të peshave të rënda” në Europë, por Pep Guardioa dështoi njëlloj si paraardhësit e tij pavarësisht shpenzimeve katastrofike që sheikët bënë për klubin. “Qytetarët” e Manchester u fundosën përballë Monaco mbrëmjen e së mërkurës në Champions League.

Humbja 3-1 në Principatë e bëri të pavlefshme fitoren 5-3 pasi vendasit kishin shënuar më shumë gola në ndeshjen udhëtuese megjithëse rezultati i përgjithshëm ishte 6-6.

Mori fund edhe rekordi krenar i Guardiolës për të arritur të paktën në gjysmëfinale ku arrinte prej të paktën 7 vitesh në fillim me Barcelonën dhe më pas me Bayern Munich. Tashmë me City ai e la kompeticionin pa arritur në çerekfinale duke u bërë klubi i parë që eliminohet nga ky turne megjithëse kishte shënuar 5 gola në ndeshjen e parë.

Një eliminim i hidhur për Guardiolën që ka triumfuar dy herë në Champions me Barcelonën dhe që të mërkurën luante ndeshjen e 100-të në pankinë në takimet evropiane.

Ndërsa mendohet se pronari i Manchester City, Sheiku Mansour do t’i japë Guardiolës sërish mbështetje dhe më shumë para për të mbajtur gjërat në rrugën e duhur sezonin e ardhshëm, duket se viti i parë i spanjollit në klubin britanik do të mbyllet me synimin për të fituar vetëm FA Cup.

Një vit më parë City arriti gjysmëfinalet e Champions League, për herë të parë nën drejtimin e Manuel Pellegrini. Kiliani që nuk dorëzohej asnjëherë pavarësisht ankesave të tifozëve arriti të fitonte Premier League dhe League Cup në sezonin e tij të parë me këtë klub.

Edhe përpara se të merrte “grushtin” e së mërkurës gjërat te City duket sikur kanë marrë të tatëpjetën. Një vit më parë ishte Real Madrid që i nxori nga gara duke fituar 1-0 me rezultatin e përgjithshëm në të dy takimet. Këtë vit është Monaco, një emër që ende nuk konsiderohet si pjesë e “tavolinës” së më të mirave të Europës.

Ajo që e bëri edhe më dëshpërues këtë eliminim ishte naiviteti i City në pjesën e parë kur skuadra plotësisht e dorëzuar lejoi Leonardo Jardim të bënte gjithçka, edhe pse mungonte Radamel Falcao.

Guardiola e kishte thënë më parë se sulmi nuk ishte në “ditën e tij të mirë”, por avantazhi 5-3 i ndeshjes së parë i mbante në lojë. Ajo që skuadra e tij bëri ishte 45-minuta të falura duke e çuar avantazhin drejt greminës pasi Kylian Mbappe dhe Fabinho shënuan pa u mbushur gjysmë ore lojë.

A dështoi taktika e ndjekur nga trajneri? Guardiola refuzon të flasë për këtë ndërsa sheh si gabim sjelljen e lojtarëve në pjesën e parë për shkak të moseksperiencës së tyre.   

“Ne harruam të ishim aty për 45 minuta. Pjesa e dytë ishte shumë, shumë më e mirë, por nuk mjaftonte.”- tha trajneri duke shtuar se: “Ky kompeticion mbetet i veçantë. Ndonjëherë duhet të jesh special, ndonjëherë me fat. Ne nuk ishim sot”.

Guardiola mbetet special. 21 trofe të fituar në 7 vjet është një provë, por tani ai luan or vendin e dytë në Premier pas Chelsea të Antonio Conte. Mos harroni që Leicester City dhe trajneri i ri Craig Shakespeare janë ende në turnetë europianë.

“The Sun” tashmë është i bindur se bankina e Guardiolës ka nisur të lëkundet rëndë…

/Lapsi.al/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *